Arsimtar i Matematikës
Arsimtar i Matematikës
Sahit Krasniqi është i lindur më 31 maj 1957 në fshatin Bukosh. Ai regjistroi shkollën e lartë pedagogjike në vitin 1976 dhe si absolvent në vitin 1978 filloi punën në Shkollën fillore "Vëllezërit Frashër" në Bukosh. Në vitin 1979 u detyrua të ndërpriste punën dhe studimet për të kryer shërbimin ushtarak. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, ai përfundoi studimet dhe diplomoi si Arsimtar i Matematikës në shkollën e lartë pedagogjike në Prizren.
Punën si arsimtar e ushtronte në vitin 1983/84 edhe në Gjimnazin "Jeta e Re", dhe më pas u kthye dhe deri në fund vazhdoi punën në këtë shkollë ku jemi sot. Përkushtimi dhe vullneti i tij në punë ishin të dukshëm, duke mbajtur një lidhje të ngushtë me kolegët dhe duke shërbyer si mësues dhe pedagog i ngrohtë për nxënësit e tij. Ai ishte ndër arsimtarët e parë që mësonte Matematikën në Komunën e Suharekës.
Gjatë kohës së tij, ai organizoi në bashkëpunim me drejtorin e arsimit kuize komunale në lëndën e Matematikës.
Sahiti ishte i pari i diplomuar në shkollën e lartë në familjen Krasniqi. Ai përkrahu dhe mbështeti të afërmit e tij në shkollimin e lartë dhe universitar. Tani, në këtë kohë, ndër të diplomuarit që kanë ndjekur rrugën e dijes të nisur nga familja Krasniqi, janë me dhjetëra persona me shkollim të lartë universitar. Ndër ta janë matematikanë, biologë, kimistë, teknologë, bujq, mjekë, farmacistë, psikologë, inxhinierë, mësues etj., që shërbejnë si shembull dhe motivim, duke ndjekur rrugën e ndjekur nga mësuesi Sahiti.
Si mësimdhënës, bashkë me kolegët e tij, ai përgatiti shumë nxënës të cilët tani janë kuadro në profesione të ndryshme, diçka për të cilën të gjithë ndihemi krenar. Duhet të vlerësojmë shkathtësitë e tij si një punonjës i dalluar në fushën e arsimit, si organizator dhe aktivist në aktivitete kulturore, arsimore dhe patriotike.
Ai u lind në një familje ambicioze në arsim, por edhe nga një familje e prekur nga humbjet me familjar dhe shkatërrimet në luftërat e mëhershme për mbrojtjen e vendit.
Gjatë luftës së fundit, ai ishte udhëheqës për vëzhgimin dhe mbrojtjen e armatosur. Së bashku me të rinjtë e tjerë, ata kryenin vëzhgimin dhe kontrollin e të gjitha automjeteve që kalonin në hyrjen e fshatit nën komandën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai gjithashtu kishte detyrën e organizimit dhe përcjelljes së ushtarëve që vinin me armatim nga Shqipëria, duke i dërguar ata në Shtabin Qendror të UÇK-së. Përveç kësaj, ai ishte përfshirë në organizime të tjera që ndihmuan në funksionimin e mbrojtjes së lëvizjes ushtarake dhe civile.
Në fundin e luftës, gjatë ofensivës së fundit më 2 qershor 1999, fshatrat u rrethuan nga forcat ushtarake serbe. Shumë të rinj u vranë atë ditë duke mbrojtur vendin e tyre në një akt heroizmi, ndërsa disa u arrestuan. Ndër ta ishte edhe Sahiti, i cili ende nuk dihet për fatin e tij, së bashku me disa të tjerë.
Data 2 qershor, e cila sot përkujtohet për 25-vjetorin, ishte një ditë tragjike për të gjithë familjarët e të vrarëve dhe të kidnapuarve. Ajo ishte dita e fundit e ofensivës së forcave serbe. Pas vetëm një dite, më datë 3 qershor 2023, Parlamenti i Serbisë votuan për shpartallimin e tyre dhe dorëzimin e Kosovës.
Ditët, javët, muajt dhe vitet kaluan me shpresën e familjes, duke besuar në zotin dhe në fatin e Sahitit. Ata shpresonin se ai mund të ishte ende gjallë dhe se një ditë do të kthehej si mësimdhënës në shkollë. Sot, ai do të gëzonte edhe pensionin e tij të merituar.
Në mungesë të informacionit lidhur me fatin e tij, sot ne e kujtojmë Sahitin si një model të mësuesit, një arsimtar me përformancë të lartë, i cili ka lënë ndikim të thellë në gjeneratat e ardhshme.
Sahiti, djali i Hasanit dhe Ferides, vëllau i Shefkies, Nazifit, Kimetes, Xhemajledinit, Sahadetes dhe Feritit, bashkëshorti i Akiles dhe babai i Arietes, Fatonit, Beges dhe Alberines.
Sot, përveç mungesës dhe mallit për Sahitin, jemi krenar për kontributin e tij të madh, për edukatën dhe dijen që ka dhënë në gjeneratat e trashëguara nga ai. Ai do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë si një mësues i shquar dhe frymëzues për të gjithë ata që kanë pasur fatin të jenë nën udhëheqjen e Sahitit.
Për të përshkruar mësues Sahitin, mund të kujtojmë një gjest të tij që i ka bërë për të gjithë ata që kanë njohur. Pas përfundimit të detyrave në dërrasen e zez, ai vendoste një pikë me shkumë dhe thoshte: "Pikë e madhe e shtypit". Ky ishte një shprehje e tij që shënoi përfundimin e një aktiviteti me sukses, dhe është një kujtim që mbetet për të gjithë ata që kanë pasur fatin të jenë në praninë e tij.
Copyright © 2024